Si kompletet e ndërtimit të montuara në kulm ashtu edhe ato në tokë, duhet të jenë prej metali të cilësisë së lartë dhe kombinimi i aluminit dhe çelikut të galvanizuar, për shembull në sistemin e montuar në kulm, për shkak të peshës dhe për të mos shkaktuar presion shtesë, në kulm, rekomandohet që të përdoret si vetëm alumini komplet i konstruksionit. Ndërsa në instalimet e montuara në tokë, zakonisht shtyllat janë prej çeliku të galvanizuar për shkak të forcës dhe qëndrueshmërisë që kërkohet për fiksim në tokë me presion, ndërsa pjesa e sipërme e kompletit të konstruksionit (ku janë fiksuar panelet solare) është prej alumini; të dyja këto teknologji, nëse çertifikohen, mund të garantojnë të paktën 20 vjet mbrojtje nga korrozioni në kushte të ndryshme klimatike.
Për PPE-të me sistem fotovoltaik (FV) në tokë, ato duhet të instalohen në vende ku kategoria e tokës është sa më e ulët, pasi shndërrimi i saj mund të bëhet vetëm nëse është kategoria 3 e më lartë. Kërkohet që kategoria e tokës të shndërrohet nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore (përkohësisht) duke përfshirë planin e rehabilitimit dhe rigjelbërimit.
Zona ku planifikohet të ndërtohet impianti FV duhet të vendoset në zonat e parapara për aktivitete të tilla sipas PZHK-ve (planeve zhvillimore komunale) ose së paku duhet të marrë pëlqimin nga Komuna që zhvillimi i një projekti të tillë nuk është në kundërshtim me planin zhvillimor të ardhshëm të komunës.
Zona ose lokacioni nuk duhet as të vendoset në zona të ndjeshme mjedisore dhe të biodiversitetit, kjo gjithashtu mund të vërtetohet me Pëlqimin Mjedisor që jepet nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, për të pasur rendiment të lartë energjie, degradim të ulët të tokës, më pak ndikim socio-ekonomik, lokacioni i impiantit FV duhet të jetë sa më afër nënstacioneve të tensionit të mesëm dhe të lartë (bazuar në impiantin e planifikuar FV).